CSU humb shumicën absolute në Bavari
Për të parën herë pas 60 vitesh, socialkristianët gjermanë humbën shumicën absolute në Bavari. Mbështetja për aleatët bavarezë të kancelares Merkel ra ndjeshëm me mbi 10% krahasuar me legjislaturën e kaluar po ashtu si edhe për socialdemokratët, partnerët e tjerë të koalicionit të madh qeverisës. Tek rezultati i zgjedhjeve rajonale të së dielës, Merkel sheh humbjen e besimit të votuesve tek partitë e mëdha.
“Nëse ka diçka që mungon, është besimi tek aktorët politikë. Ajo çka mësova nga këto zgjedhje është që duhet të forcojmë koalicionin e madh, për ta bërë punën tonë më të dukshme”.
Edhe për kreun socialkristian Horst Zehofer rezultati është i keq. Por ai nuk përmendi dorëheqjen, sikurse flitej.
“Është një rezultat i keq. Askush mes nesh nuk është i kënaqur me 37.2%. Menjëherë do të punojmë për t’u ngritur sërish lart”.
Rezultati shihet si një disfatë për Merkelin me futjen e euroskeptikëve të Alternativës për Gjermaninë në parlamentin bavarez. Por disa analistë i konsiderojnë zgjedhjet ndëshkim për politikat kundër emigrantëve të kreut të CSU-së, Horst Zehofer. Këtë e përforcon edhe mbështetja masive për të gjelbrit, mbështetës të emigrantëve. Për vetë Merkelin, prova është pas dy javësh në zgjedhjet rajonale të Hesenit.
Tv Klan