Dëgjesat për buxhetin
“Janë gjithmonë të sikletshme takimet kur kthehesh në vende ku s’ke mbajtur fjalën, ku s’ke bërë asnjë punë, por duke filluar nga salla ku jemi sot e deri tek rruga që na solli këtu, te mënyra si ka ndyshuar kjo lagje, besoj se secili që i thotë vetes socialist duhet ta mbajë kokën lart e të ndihet krenar që partia jonë, vota për forcën tone, sjell një transformim të paimagjinueshëm. Ne nuk jemi një forcë që ndryshon gjërat një herë në katër vjet, ne jemi një forcë politike që çdo javë ndryshon diçka. Bregu i Lumit ishte një fjalë fyese; po t’i thoje dikujt je nga Bregu i Lumit, praktikisht po i thoje, s’ ke vlerë, unë s’flas me ty, je pa dinjitet, ik kthehu nga ke ardhur! Sot të thuash Bregu i Lumit është tjetër gjë, kjo është një ndër shkollat më të mira jo në Tiranë, por në Republikë”
, tha kryebashkiaku Veliaj.
“E gjithë kjo zonë ku sot është shkolla përmbytej. Sot jemi dita me natën. Mënyra se si mbaroi në kohë rekord i gjithë transformimi i Lumit të Tiranës, bashkëpunimi që patëm në komunitet, njerëzve u duket si përrallë nga e kaluara, kur para tre vitesh mblidhnim plaçkat në krahë dhe bënim evakuimet. Kur kujtoj ata të partisë së Babales që jepnin konferenca për shtyp, ne duke ndihmuar njerëzit, ata konferencë për shtyp, e thoshin mos të hiqen njerëzit nga Bregu i Lumit. Jo, mor shok, jo, ke të drejtë të banosh dhe ne të kemi çuar në banesë sociale”
, tha Veliaj.
“Kemi parë që lagjja ka nevojë edhe për shkolla të tjera. Jemi në fazën që po prokurojmë disa shkolla të reja që do t’i shërbejnë edhe komunitetit të Njësisë 8 dhe 4, duke qenë se janë dy njësi administrative kufitare. Në shkollën ‘Ardian Klosi’ kemi menduar të fusim konceptet e programimit dhe të informatikës. Ne kemi rikonstruktuar 5 kopshte, 4 çerdhe, dy shkolla, dhe kemi ndërtuar shkollën e re “Ardian Klosi”. Ajo çfarë është bërë me kopshtet dhe çerdhet në këtë komunitet, por dhe në gjithë Tiranën në këto 3 vite, duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi mirë, se gjenerata që po vjen i ka kushtet më mirë se gjenerata që iku. Bëmë një rehabilitim dhe instalim të sistemit të ngrohjes për shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku”; rikonstruksion të plotë të shkollës specaile “Luigj Kurakuqi”. Ndërkohë, me projektin “Shkolla – qendër komunitare”, kemi hapur shkollat “Eqerem Çabej”, “Bajram Curri” dhe “Ardian Klosi”, ku zhvillohen kurset e basketbollit”,
deklaroi kreu i Bashkisë.
“Kur takoj ndonjëherë njerëz që thonë shumë mirë me rrugët, por këto korsitë e biçikletave na e kanë ngushtuar pak rrugën? Korsia është po ajo që ka qenë sepse korsitë e biçikletave ose janë në trotuar ose aty ku parkoheshin makinat. Kjo e biçikletave është një gjë që po ndodh kudo në botë. Për sa kohë që për Bashkinë e Tiranës gjithë njerëzit janë njësoj, secili do të ketë korsinë e vet të transportit, qoftë transport publik, qoftë biçikletë, qoftë makinë”
, tha ai.
“Javën e kaluar kishim një tjetër vendim shumë të rëndësishëm. Është një nga vendimet më të mrekullueshme që nuk besoj ka grua, zonjë, nënë, kryefamiljare në Tiranë që të mos gëzohet: ndalimi me ligj i pikave të basteve në Tiranë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë dhe ta mbështesim qeverinë tonë, që në datën 1 janar, të çohemi në një Tiranë pa baste, pa kazino, pa bingo, më shumë para për familjet dhe më shumë kohë për gjithë fëmijët e qytetit tonë”,
tha Veliaj.
. “Duhet të jemi të gjithë krenarë që para tre vitesh i dhamë votën Erionit dhe PS. Tirana ka ndryshuar, jo vetëm nga sheshi “Skënderbej” që fitoi atë çmim fantastik, por edhe këtu në Njësinë 4, që ka një nga shkollat më fantastike, që i ka kthyer ndriçimin edhe periferisë. Ndaj kemi këtë llogaridhënie, për të treguar çfarë premtuam para 3 vitesh, çfarë bëmë, dhe çfarë do të bëjmë. Erionin dua ta falenderoj për Njësinë 4 dhe do t’i them se ne qytetarët e Tiranës do të vazhdojmë të punojmë shumë fort për të ecur me tutje, pasi këtë që kemi nisur duam ta vazhdojmë. Ndaj, Erion, vëmendja jonë ndaj jush, dhe vëmendja juaj ndaj nesh, duhet të vazhdojë, mbështetjen e kryetarit Edi Rama e kemi, mjafton që të jemi çdo ditë afër qytetarëve
”, deklaroi Gjylameti.
Me punën që ka bërë jemi të gjithë krenar për Erionin. Ndaj, mund të themi me plot gojën se vota e qytetarëve të Tiranës nuk ka shkuar kot. Por jemi këtu që të vazhdojmë me vëmendjen ndaj qytetarëve. Ne nuk humbim kohën duke u marrë me akuzat e opozitës, por merremi me punët. Faleminderit Erion, për punën që po bën dhe vota jonë është për ty, për Edi Ramën dhe për PS. Opozita e ka humbur misioni e saj, ndaj ne nuk do e humbin kohën duke rendur pas opozitës, për ne koha është e shtrenjtë për të punuar për qytetarët e Tiranës”,
tha deputeti Abazi.
/tvklan.al