Ngjarja në Bularat, Berisha: Të ndërpritet histeria antishqiptare në Athinë


Ngjarja në Bularat, Berisha: Të ndërpritet histeria antishqiptare në Athinë

14:57 29/10/2018

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për vrasjen nga policia të minoritarit grek Kostandino Kaçifa në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se policia ka të drejtën ligjore t’i kundërpërgjigjet kujtdo që hap zjarr ndaj saj, deri në asgjësimin përfundimtar.

Ish-Kryeministri i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës, ndërsa ka dënuar zërat antishqiptarë në Athinë dhe zërat antigrekë në Tiranë. Berisha thekson se është e nevojshme të bëhet një hetim transparent për këtë ngjarje dhe të bashkëpunohet midis dy vendeve.

Deklarata e ish-Kryeministrit Sali Berisha:

Të dashur miq, dje një banor i Bularatit, anëtar në forcat e armatosura të Greqisë ka hapur zjarr për motive ekstremiste edhe ndaj policisë. Natyrisht në çdo rast që hapet zjarr drejt policisë kësaj të fundit i lind e drejta ligjore të neutralizojë burimin e zjarrit.

Kur them të neutralizojë, nënkuptoj me këtë dorëzimin e kriminelit që hap zjarr, plagosjen e tij dhe së fundi edhe asgjësimin e tij kur dy të parat janë ta pamundura.

Pavarësisht aktit të dënueshëm që vuri në rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushëllime njerëzore familjes së viktimës. Duke dënuar disa reagime zyrtare të Athinës por edhe të Tiranës, që duan të përdorin rastin për qëllime politike. Konsideroj të nevojshme një hetim të plotë dhe transparent të kësaj ngjarje.

Me këtë rast bëj thirrje për ndërprerjen e histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj antigreke në Tiranë, që nuk i shërbejnë as të vërtetës dhe as bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona!  /

tvklan.al






Të ngjashme