Preku zemrat e gjithë botës, mbyll sytë përgjithmonë 7-vjeçarja


Preku zemrat e gjithë botës, mbyll sytë përgjithmonë 7-vjeçarja

20:40 02/11/2018

7-vjeçarja nga Jemeni, Amal Hussein, fotografia e së cilës në “The New York Times” u bë simbol i konfliktit që po shkatërron vendin prej shumë vitesh, ka ndërruar jetë.

Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet Husi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në foton e shkrepur nga fotoreporteri fitues i çmimit Pulitzer, Tyler Hicks, shfaqet vogëlushja e dobësuar në një shtrat gjatë kohës që mjekohej në klinikën lëvizëse të UNICEF në Aslam, Jemen.

Fotoja e zymtë e fëmijës në dhimbje, u kthye në simbol të luftës brutale civile që ka shtyrë drejt urisë miliona njerëz në Jemen.

Amal vetëm qeshte gjithmonë. Tani jam e shqetësuar për fëmijët e tjerë

”, tha Mariam Ali, nëna e Amalit, në një prononcim telefonik për “The Times”. Ajo tha se Amal kishte mbyllur sytë më 26 Tetor.

Fotoja solli sensibilizim të gjerë global kundër luftës në Jemen. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis dhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo bënë thirrje për një armëpushim në Jemen brenda 30 ditëve të ardhshme.

Konflikti më shumë se 3-vjeçar mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe të mbështetur nga SHBA-të me fiset Husi të mbështetura nga Irani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 10 mijë personave./tvklan.al






Të ngjashme