Pas protestës, Basha shkon te Unaza e Re: Rama do ta paguajë shtrenjtë


Pas protestës, Basha shkon te Unaza e Re: Rama do ta paguajë shtrenjtë

17:25 22/11/2018

Pas përleshjeve të dhunshme para Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkuar tek Unaza e Re dhe ka takuar banorët që vazhdojnë protestën prej më shumë se 15 ditësh.

Në një deklaratë për mediat, Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama si shkaktar të dhunës së sotme dhe paralajmëroi se do ta paguajë shtrenjtë.

Të vetmin fajtor për dhunën mes protestuesve dhe banorëve, Basha gjen Kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se nxiti urrejtjen me gjuhën e përdorur në Parlament ndaj qytetarëve.

“Njeriu që frymëzoi dhunën me gjuhën e konfliktit është Kryeministri i vendit. Edi Rama mban përgjegjësi për dhunën  ushtruar ndaj banorëve dhe do ta paguajë shtrenjtë që ka shktaktuar disa viktima mes banorëve, gra me brinjë të thyera, zonja me shtyllën kurrizore të shembur. Ai do të paguajë edhe për gishtat e polices të plagosur në detyrë

“, u shpreh Basha.

Kryedemokrati theksoi se Kryeministri vuri përballë policinë me banorët duke i përdorur për të mbuluar vjedhjen prej 40 milionë Euro.

“Ky njeri i papërgjegjshëm po përdor sot për të mbuluar vjedhjen prej 40 milionë Eurosh, policinë dhe propagandën për të vendosur policinë dhe popullin përballë, kur në fakt këtu si qytetarë ashtu dhe policia janë në anën e ligjit dhe i vetmi në anën tjetër të antiligjit është Edi Rama që po grabit 40 milionë Euro të shqiptarëve. Opozita ishte aty pranë qytetarëve. I çoi aty policët të patrajnuar, kapi kapsollën me dorë. Kush i goditi qyterarët? Dhunën e filloi Edi Rama në Kuvend. I dëgjove si i trajtoi? Ai është një kryehajdut që përdor sharjet raciste ndaj popullit të tij dhe këtë do ta paguajë rëndë. Policia të jetë në anën e ligjit dhe jo të mbrojë këtë vjedhje të shëmtuar”

, deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.

Nga protesta që degjeneroi në dhunë u plagosën 12 efektivë policie, nga të cilët dy rëndë, dhe 3 protestues pësuan lëndime. 

/tvklan.al






Të ngjashme