
Kapet 18-vjeçari që hodhi kapsollën
Arrestohet 18-vjeçari që dyshohet se hodhi kapsollën mbi policen e patrullës ‘Shqiponja’, Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur në të dyja duart gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re para Parlamentit. I riu është Daniel Drobaj me banim në Tiranë.
Policia tha se ka vënë në pranga 18-vjeçarin, të cilin e kishte ndaluar edhe ditën e protestës për kundërshtim të forcave të rendit, por që më pas e kishte lënë të lirë, pasi nuk kishin evidentuar ndonjë veprim të dhunshëm.
Shpallja në kërkim u bë pasi Drobaj u identifikua nga pamjet filmike si personi që hodhi kapsollën mbi punonjësen e policisë.
Arrestimi i të riut u bë pasditen e së premtes në rrugën ‘Babe Rexha’ pas qendrës Globe. Uniformat blu do të referojnë në prokurori 18-vjeçarin për veprat e “Plagosjes së rëndë me dashje’, “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditjes për shkak të detyrës”.
Nga kapsolla e të riut, policja 24-vjeçare Ina Nuka humbi tërësisht njërin gisht dhe rrezikon edhe dy të tjerë. Rreth orës 20 e 30 të mbrëmjes ajo u nis drejt Turqisë për një ndërhyrje më të specializuar në përpjekje për të rikuperuar gishtat e dëmtuar. Në Spitalin e Traumës po marrin ende mjekim tre efektivë.
Veç 11 të arrestuarve në flagrancë për dhunën në protestën e së enjtes, policia ka identifikuar persona të tjerë që sulmuan me kapsolla e sende të rënda uniformat blu, të angazhuar në ruajtjen e sigurisë. Prokuroria tha se i ka kërkuar gjykatës të caktojë masën e arrestit me burg për 6 nga 11 të kapurit në flagrancë, mes tyre edhe 18-vjeçari Daniel Drobaj. Ndërsa Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pritet të verifikojë edhe veprimet e punonjësve të policisë.
Tv Klan