Tarifa doganore ndaj Serbisë, Rama e thotë live: “What the fuck”
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendimi i Kosovës për taksën doganore 100% ndaj mallrave serbe është një vendim politik dhe jo ekonomik.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët mes qeverive Shqipëri-Kosovë, Rama tha se ky vendim i qeverisë kosovare vjen si pasojë e veprimeve bllokuese të Serbisë ndaj Kosovës në institucione ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë shqiptare tregoi edhe një ngjarje, që ministrit kosovar i ishte kërkuar të mos përmendte termin Republika e Kosovës.
“Kush e sheh si vendim ekonomik taksën doganore, gabon! Jo, është vendim politik. Ministri i Punës dhe mirëqenies sociale të Kosovës
më tregonte mbrëmë sesi në Beograd deri në 2 të natës me anë të të dërguarve të Europës i kërkonte të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do të mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët. “What the fuck”, do thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian”,
deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërsa në veri të Kosovës do të ketë taksë doganore 100% ndaj Serbisë, Shqipëria do të heqë të gjitha tarifat doganore me shtetin kosovar.
/tvklan.al