Zaev para provës së dytë


Zaev para provës së dytë

21:37 01/12/2018

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u ka bërë thirrje deputetëve që t`i përkrahin amendamentet duke thënë se ky dhe viti tjetër janë vendimtar për historinë e Maqedonisë.

“Iniciuam procesin e ndryshimeve të domosdoshme në Kushtetutë me qëllimin e vetëm që Maqedonia të jetë e gatshme për ardhmërinë evropiane. Mbetet edhe më tej e hapur oferta për inkluzivitet edhe në fazat tjera të ndryshimeve kushtetuese, padyshim në frymën e Marrëveshjes së Prespës”

, tha Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Tetë deputetët e pavarur, që u përjashtuan nga VMRO-ja opozitare, e që ishin vendimtarë gjatë sigurimit të shumicës prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese, kanë njoftuar se në këtë fazë do të votojnë “të përmbajtur” për tri amendamente, duke rikujtuar Kryeministrin se ky proces është i ndërlidhur me procesin e pajtimit. Ndryshimi i qëndrimit të këtij grupi ishte paralajmëruar pas arrestimit të ish-shefit të policisë sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijalkov.

“Do të votojmë të përmbajtur për tre amendamente, me qëllim që t`i lëmë hapësirë debatit publik të ekspertëve ta thonë mendimin e tyre, por edhe propozimet që mund të inkorporohen në projekt amendamente”, 

tha Zekir Ramçiloviç nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-së.

Gjatë debatit në Kuvend, qytetarë të organizuar nga partia proruse “Maqedonia unike” kanë mbajtur një protestë para ndërtesës së parlamentit të Maqedonisë, kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë Zaev.

Tv Klan






Të ngjashme