Ambasadori i BE flet për protestën e studentëve
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ka reaguar për protestën e studentëve që vazhdon prej një jave, duke thënë se po e ndjekin me interes këtë ngjarje.
“Po ndjekim protestën e studentëve me vëmendje”,
ka thënë ambasadori Soreca duke bërë apel për një dialog mes qeverisë dhe studentëve, si e vetmja zgjidhje.
“Ne po e ndjekim nga shumë afër protestat e studentëve prej fillimit dhe i kuptojmë shqetësimet e tyre. Besojmë se dialogu mes qeverisë dhe studentëve për kërkesat e këtyre të fundit, është mënyra më e mirë për të ecur përpara për të gjetur një zgjidhje për shqetësimet e tyre. Nëse raste të veçanta korrupsioni dalin në dritë, presim që të hetohen në mënyrë të drejtë nga autoritetet gjyqësore. Do të vazhdojmë të ndjekim zhvillimet nga protestat ditët e ardhshme”.
Këtë deklaratë, ambasadori i Bashkimit Europian e bëri gjatë një konference për shtyp me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Studentët protestojnë prej 7 ditësh përpara Ministrisë së Arsimit duke paraqitur një listë me 8 kërkesa, duke filluar që nga ulja e tarifave për studimet universitare.
/tvklan.al