3 humbje radhazi, Orges Shehi jep dorëheqjen
Tre humbje radhazi kërkojnë marrjen e përgjegjësive. Trajneri i Skënderbeut Orges Shehi i ka komunikuar Presidentit të klubit Ardian Takaj dorëheqjen.
Burime pranë skuadrës korçare, bëjnë me dije për TV Klan se Shehi ka deklaruar se skuadra nuk e ka më grintën e 10 javëve të para të Superligës. Për këtë arsye, tekniku ka menduar se skuadra mund të ketë nevojë për një tjetër drejtues. Gjithsesi asgjë nuk ka përfunduar. Dorëheqja e Shehit tashmë është në tavolinën e Takajt.
Pritet që Presidenti të analizojë situatën me njerëzit më të afërt dhe të marrë vendimin për pranimin e saj ose kthimin e Shehit në drejtim të ekipit duke konfirmuar trajnerin për arsye të rezultateve të mëparshme.
1 barazim dhe 3 humbje radhazi, e fundit me Luftëtarin në shtëpi, rëndojnë shumë, por Skënderbeu i sivjetshëm pati shumë largime lojtarësh madje edhe të të gjithë stafit teknik.
Megjithatë ekipi i drejtuar nga Shehi mori fitore të rëndësishme madje me rivalët direktë në kampionat si Flamurtari, Partizani dhe Kukësi.
Tv Klan