Trump nxit një marrëveshje Kosovë-Serbi


Trump nxit një marrëveshje Kosovë-Serbi

16:40 18/12/2018

Pajtimi përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e Donald Trump. Ishte vetë presidenti amerikan ai i cili ftoi presidentët Thaçi e Vuçiç që marrëveshjen historike ta festojnë në Washington. Në një letër drejtuar presidentit kosovar, Trump nxit politikën kosovare të mos e shpërdorojë këtë rast.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, pasi një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë. Unë ju nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”.

Letra e Trump u publika nga Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook dhe vjen fill pas përplasjes mes presidentit kosovar dhe atij serb në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Debati kryesor u zhvillua për themelimin e ushtrisë së Kosovës që pala serbe pretendon se shkel rezolutën 12 44 të OKB-së ku bazohet pavarësia e Kosovës.

Hashim Thaçi:

Rezoluta 12 44 i referohet vetëm ç’armatosjes të UÇK-së. Pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.

Aleksandër Vuçiç:

Neni 9 paragrafi B i rezolutës 12 44 thekson qartë jo vetëm ç’armatosjen e UÇK-së, por edhe ç’armatosjen e të gjitha grupeve të tjera të armatosura shqiptare të Kosovës.

Vuçiç mohoi akuzat e Prishtinës për spastrim etnik të shqiptarëve nga serbët. Ndërsa Thaçi i kujtoi 13.500 viktimat civile mes shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës.

Tv Klan






Të ngjashme