Solskjaer merr drejtimin e Manchester UTD
Ole Gunnar Solskjaer, do të jetë trajneri i komanduar i Manchester United deri në përfundim të sezonit. Lajmi u njoftua nga klubi mëngjesin e kësaj të mërkure.
Solskjaer do të marrë detyrën me skuadrën e parë menjëherë dhe do të qëndrojë në këtë post ndërkohë që klubi do të nisë procesin e rekrutimit për një trajner me kohë të plotë.
Në komunikatën e klubit publikohet edhe një deklaratë e tij, ku norvegjezi shpreh kënaqësinë për marrjen e kësaj detyre pasi Manchester United mbetet një skuadër e dashur për të. Një prej zyrtarëve më të lartë të Manchester, Ed Woodward, deklaroi se Solskjaer ka besimin e klubit se do të jetë i aftë t’i bashkojë lojtarët dhe tifozët në pjesën e dytë të sezonit.
Solskjaer ka luajtur me klubin anglez prej 1996 deri në 2007. Në 366 ndeshje, sulmuesi shënoi 126 gola. Për shkak të eficencës së tij në shënimin e golave ai mori nofkën “The Baby-faced Assassin”, vrasësi me fytyrë fëmije.
Në 2008 ai mori detyrën e trajnerit të skuadrës së rezervave. Më pas u kthye në Norvegji për të drejtuar skuadrën e Molde. Pasi pati eksperiencë edhe me skuadra të tjera ai u rikthye tek Molde me të cilën u përball edhe me Laçin në sezonin e fundit të Europa League.
Tv Klan