“Furia” Juventus
Një makineri perfekte që shtyp çdo gjë që i del përpara. Epitet që i shkon shumë përshtat Juventusit që jo vetëm ka 7 vite që dominon bindshëm Serinë A, por tashmë duket një rival i frikshëm edhe në arenën europiane dhe është favoritja kryesore për të fituar Ligën e Kampioneve
Alegri dhe Juventus po bëhen gati të mbyllin vitin 2018 me një tjetër rekord. Që nga 1 Janari i vitit 2018 Zonja e Vjetër ka grumbulluar plot 94 pikë në kampionat, më shumë se çdo ekip tjetër në kontinent. Asnjë skuadër nuk ka mundur të bëjë me mirë se Zonja e Vjetër brenda një viti kalendarik.
15 fitore dhe 1 barazim në 16 javët e parë të këtij sezoni bëjnë që Juventusi të vendosë rekordin për startin më të mirë në historinë e kampionatit Italian. Nëse do shtojmë këtu edhe statistikat e gjysmës së sezonit të shkuar formacioni i Alegrit numëron 30 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje. Shifra vërtetë mbresëlënëse që bëjnë të dridhet çdo kundërshtar.
Në të njëjtën periudhë Manchestet City që u shpall kampion në Premier League ka grumbulluar 85 pikë me 27 fitore 4 barazime dhe 5 humbje. As Barcelona nuk afrohet me kampionet e Italisë. Gjatë 2018 katalanasit kanë koleksionuar 24 fitore 10 barazime dhe 3 humbje duke grumbulluar 82 pikë. Edhe milionat e PSG duken shumë larg numrave bardhezinjve. Parizienët që nuk kanë rival në Francë, me të njëjtin numër ndeshjes si Juventus kanë grumbulluar 7 pikë më pak se italianët.
Zonja e Vjetër duket se po dominon jo vetëm në Itali por edhe në Europë. Statistikat mund të thellohen edhe më shumë pasi janë edhe tre ndeshje për tu luajtur. Nëse Roma, Atalanta dhe Sampdoria kalohen më sukses atëherë formacioni i Alegrit do ta mbyllte 2018 në kuotën e 103 pikëve.
Klan Plus