Ndërrimi i viteve pa fishekzjarre
Spektakli i Vitit të Ri me gjasë do t’i mungojë Tiranës dhe të gjitha qyteteve shqiptare këtë vit. Ndërrimi i viteve do të pritet pa fishekzjarre dhe 2019 –ta do të jetë i pari vit që do të nisë zymtë.
Tre ministri, e Brendshmja, e Mbrojtjes dhe e Financave kanë udhëruar ndalimin e tregtimit të fishekzjarreve, përfshirë ato të kategorisë 2, që nuk konsiderohen të rrezikshme e tregtohen në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Ky urdhër, i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, erdhi pas dëmtimin me një fishekzjarr që nuk lejohet të tregtohet, të polices Ina Nuka, gjatë protestës së banorëve të Astirit para Parlamentit.
Ministritë kanë argumentuar se edhe fishekzjarret e kategorisë 2, ato që përdoren gjerësisht nga familjet, janë të rrezikshëm.
Por në fakt direktivat e Bashkimit Europian e konsiderojnë këtë kategori “me rrezik të ulët dhe nivel të ulët të zërit” dhe lejojnë përdorimin nga publiku në mbarë vendet e Unionit.
Urdhëri bie ndesh edhe me vetë legjislacionin shqiptar, me urdhërin për miratimin e rregullores për mënyrën e përdorimit të lëndëve piroteknike të vitit 2015.
Dhe përsa i përket rrezikshmërisë, instruksionet e përdorimit janë në shqip në çdo fishekzjarr dhe vetëm ndjekja e tyre do të shmangte çdo të papritur.
Por përveçse do t’u heqë shqiptarëve atmosferën festive, urdhëri ka edhe efekte negative tek biznese të shumta. Aktualisht mbi 200 ton fishekzjarre janë bllokuar nëpër dyqane e magazina, për të cilat vetëm si taksë janë paguar afro 1 miliard Lekë. Importuesve, ndërprerja e biznesplanit në mënyrë të befasishme, u shkakton dëme të jashtëzakonshme.
Ai nuk parashikon as se si do të kompensohet ky dëm. Thotë se malli i ngelur mund të eksportohet, por për importuesit kjo është e pamundur, për shkak se për mallin e hyrë në Shqipëri është paguar dogana me një çmim të lartë reference dhe akciza.
Në këtë mënyrë, duke mos u dhënë mundësi biznesve që t’i tregojnë sasitë e blera sipas ligjit në fuqi, ky urdhër po çon në faliment importuesit dhe u ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike qindra njësive të vogla tregtare në mbarë vendin, të cilat fishekzjarret i kanë ndër mallrat kryesore që shesin gjatë festave.
Bizneseve nuk u është lënë asnjë ditë kohë apo një fazë tranzitore për të marrë masat që të mos dëmtohen ekonomikisht dhe shteti nuk ka llogaritur asnjë formë subvencioni për ata që preken ekonomikisht.
Në Shqipëri, nga hedhja e fishekzjarreve gjatë festave të fundvitit nuk rezulton asnjë fatalitet dhe prej vitesh nuk ka as të lënduar.
Ndaj urdhëri i tre Ministrive nuk do t’i mbrojë më shumë shqiptarët, por vetëm do t’u heqë atyre festën dhe do të dëmtojë financat e biznesit.
Tv Klan