Dhurata e nxënësve për Orgestin (Video)
Bullizmi është një plagë e shoqërisë në mbarë botën. Shumë fëmijë ndihen të ngacmuar, të fyer, të rrezikuar, të përjashtuar, saqë rrezikojnë edhe të mos shkojnë në shkollë nga sjellja e bashkëmoshatarëve të tyre.
Në studion e “Ka një mesazh për ty”, këtë të diel ishin edhe një grup gjimnazistësh, nga shkolla “Pandeli Sotiri”, në Gjirokastër. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre, këta të rinj përcollën në studio kauzën e tyre kundër bullizmit.
“Jam shumë i privilegjuar që kam sot këta të rinj sot këtu, të cilët vijnë nga Gjirokastra për t’ju bashkuar mesazhit të sotëm”,
tha Gjebrea.
Me qëllimin për të nxjerrë në pah këtë fenomen dhe për të ndërgjegjësuar sado pak komunitetin, nxënësit e kësaj shkolle realizuan një film të financuar nga vetë ata, që trajtonte pikërisht bullizmin.
“Bullizmi është një plagë e shoqërisë sot, kështu që besoj se ndjehet në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Në shkollën tonë është e përhapur, jo e tepërt, por besoj se është e përhapur. Ndaj edhe ne nxorëm një film për ta shpjeguar këtë fenomen dhe për t’i thënë Stop”
, shpjegoi një prej nxënëseve në studion e “E Diela Shqiptare”.
Filmi në fjalë u shfaq në kinemanë e Gjirokastër dhe të rinjtë thonë se pjesëmarrja ishte shumë e madhe. Paratë që fituan nga shitja e biletave, nxënësit vendosën që t’ia bënin dhuratë Orgestit, 10-vjeçarit albin, i cili sëbashku me nënën e tij, treguan për vështirësitë me të cilat përballet një person i veçantë.
/tvklan.al