Basha: Pakti për Universitetin, mashtrim i plotë
Lulzim Basha reagoi pa vonesë ndaj paktit të qeverisë për Universitetin, duke e quajtur një mashtrim të plotë.
“
Edi Rama po përpiqet të mashtrojë studentët. Tarifat nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta, të thella financiare me të cilat përballen studentët. Paketa është një mashtrim”.
Për Bashën, buxheti është tregues kryesor që paketa nuk jep zgjidhje.
“Nuk ka asnjë vendim konkret të bindë studentët që buxheti dedikuar arsimit do arrijë nivelin e 5%. Rama flet vetëm për tarifën e regjistrimit për ciklin e parë, e bën sikur harron atë të ciklit të dytë. Rama nuk pranon të miratojë pjesëmarrjen e studentëve në Bordin e Administrimit, pasi për një gjë të tillë duhet amendimi i Ligjit të Arsimit të Lartë. Kartën e studentit Rama e shtyn nën mashtrimin e një marrëveshje europiane, ndërkohë që dihet që pengesa për të janë interesat klienteliste të operatorëve ekonomikë afër tij që preken nga Karta e Studentit”.
Basha propozoi si zgjidhje dy rrugë.
“
E para, anulimi i Ligjit korruptiv për Arsimin e Lartë që është zanafilla e së keqes. Kemi sot arsimin e lartë më të shtenjtë në Europë dhe me cilësinë më të dobët në Europë.
Shtylla e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Edi Rama ka folur sot 45 minuta dhe ka thënë lloj-lloj gjërash, por nuk thotë se buxheti i arsimt të lartë është rritur me 2 milionë Dollarë. Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Do të thotë 74 milionë Dollarë më shumë që do shpenzohen në dy drejtime. Së pari, për të subvencionuar tarifat e studentëve. Ndërsa pjesa tjetër e parave do të investohen në infrastrukturën konviktore”.
Basha thotë se fatura totale e propozimit të Partisë Demokratike është 38 milionë Dollarë. Një tjetër zgjidhje, sipas Bashës, është largimi i qeverisë përpara përfundimit të mandatit të saj.
Tv Klan