Gjoba për tutorët e fëmijëve që lypin
Teksa shpërndau dhurata për fëmijët në nevojë dhe ata me aftësi të kufizuar, kryebashkiaku Veliaj foli për situatën me fëmijët e rrugës dhe vendimin më të fundit të Këshillit Bashkiak për të ndëshkuar ata që detyrojnë të vegjlit të lypin.
“Një njeri që lyp s’ka as llogari bankare, as numër NIPT-i, as adresë ku mund t’i vëmë gjobë, as nuk e kemi menduar t’i vëmë gjobë, por dikush që shfrytëzon lypësit, që qëllimisht e merr dikë dhe e trajton si bankomat, e nxjerr në rrugë për ta shfrytëzuar, për t’i futur duart në xhepa. Sigurisht, për këtë jo vetëm gjobë, por edhe burg, edhe sanksione të tjera, sepse askush nuk ka të drejtë, qoftë edhe fëmijën e vet, ta shfrytëzojë për të marrë para nga rruga”.
Deri më tani punonjësit socialë kanë mundur të largojnë nga rruga dhjetra fëmijë, duke u ofruar shërbim në qendrat sociale. Veliaj falenderoi edhe donatorët për solidaritetin e treguar në këto ditë festash.
“Tirana është vërtet qyteti i një milion problemeve, një milion banorëve, por edhe i një milion mundësive dhe për të gjithë ata që këtë vit kanë hequr mënjanë një lodër, ndonjë veshje, një vakt, i falenderoj me gjithë zemër, se qytetar dhe kryeqytetar nuk të bën adresa, nuk të bën numri i apartamentit në Tiranë, por mënyra si sillesh. Për të gjithë ata që pavarësisht kushteve ekonomike janë sjellë me kaq shumë solidaritet, besoj që meritojnë titullin kryeqytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe banorë shumë dinjitozë të Tiranës”.
Këto ditë festash, Bashkia e Tiranës ka ofruar më shumë ushqim dhe përkujdesje në mensa dhe qendra sociale.
Tv Klan