Çfarë të gatuajmë natën e Vitit të Ri (Video)


Çfarë të gatuajmë natën e Vitit të Ri (Video)

19:15 26/12/2018

Jemi në prag të Vitit të Ri dhe një nga pjesët që na lumturon, por edhe na angazhon më tepër në këto ditë festash është përgatitja e menusë, veçanërisht kur bëhet fjalë për tryezën e mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

Secili prej nesh zgjedh menu të ndryshme, dikush vazhdon sipas tradicionales, dikush tjetër preferon të guxojë me shije moderne dhe me ushqime më të lehta apo me receta të veçanta të kohëve të fundit.

Pikërisht, sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku ishin të ftuar kantautori i njohur Gjergj Leka, sportistja Klodiana Shala dhe shefi i kuzhinës Alfred Marku u fol menunë e mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

Secili prej të ftuarve kishte sjellë një pjatë, të cilën e sugjeroi për të gjithë. Alfred Marku kishte zgjedhur një pjatë me peshk, kadaif dhe çokollatë të bardhë.

“Kur njerëzit e dëgjojnë për herë të parë iu duket e pabesueshme. Por ekuilibri që ka barbuni me çokollatën e bardhë dhe kadaifin është i jashtëzakonshëm. Është një pjatë e lehtë përmes së cilës zbulon shije të reja”, tha Marku.

Klodiana Shala, sportistja e njohur dhe e talentuar edhe pse me një trup mjaft në formë ka një lidhje të fortë  me ushqimin dhe gatimin. Ajo po ashtu kishte zgjedhur peshk salmon me djath dhe vezë peshku.

“Mua më pëlqen shumë gatimi. Kjo pjatë në natën e Vitit të Ri shërben si antipastë përpara se të konsumojmë gjelin e Vitit të Ri. Është një pjatë e lehtë që të lë vend edhe për ushqime të tjera”, tha Shala.

Kantautori i njohur Gjergj Leka kishte zgjedhur të sugjerojë sallatën ruse si recetë për natën e Vitit të Ri.

“Unë në fakt nuk kam bërë një pjatë, kam përgatitur sallatë ruse me të cilën mund të shoqërojmë mishin. Meqë kam jetuar disa vite në Rusi dhe sallata ruse që ata përgatisin është shumë e shijshme, zgjodha këtë recetë. Sallata ruse është pjatë e veçantë dhe shumë e shijshme”, tha Leka.

/tvklan.al






Të ngjashme