Qeveria greke futet në krizë
Pas Maqedonisë, marrëveshja e Prespës ka zhytur edhe Greqinë në krizë politike. I njohur si kundërshtar i kësaj marrëveshjeje, Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos dha dorëheqjen dhe shpalli largimin nga koalicioni qeverisës, pas një takimi në selinë e qeverisë me Kryeministrin Aleksis Cipras.
“Çështja e Maqedonisë për të cilën kanë rënë mijëra njerëz, nuk më lejon mua të mos e sakrifikoj karrigen. Falenderova Kryeministrin për bashkëpunimin dhe i shpjegova që nuk mund t’a vazhdojmë për arsye kombëtare. Grekët e Pavarur do të largohen nga qeveria”.
Cipras e zëvendësoi menjëherë Kamenosin në krye të Ministrisë së Mbrojtjes me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Admiralin Evangelos Apostolakis. Ndërsa deklaroi se do të kërkojë mocion votëbesimi nga parlamenti, që pritet të mbahet të enjten.
“Do t’i kërkoj parlamentit mocion votëbesimi për të çuar përpara çështjet e mëdha që do t’i japin frymëmarrje shoqërisë dhe që do t’a përmirësojnë rolin tonë ndërkombëtar”.
Teorikisht, Cipras pritet t’a kapërcejë sfidën e votëbesimit që kërkon 120 vota nga 300 deputetë që ka parlamenti. Kryeministrit i duhet të sigurojë të paktën 151 vota, që marrëveshja e Prespës të miratohet. Me largimin e Grekëve të Pavarur, koalicioni qeverisës ka 146 vota, por mbështetjen e kanë shprehur disa prej deputetëve të kësaj partie, si dhe grupimi politik centrist Lumi. Parlamenti i Maqedonisë miratoi të premten ndryshimet kushtetuese që përcaktojnë emrin e ri shtetëror si Republika e Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan