Drejt skadimit afatet hetimore për Balilin


Drejt skadimit afatet hetimore për Balilin

15:42 14/01/2019

Mungesa e përgjigjeve nga letër-porositë e dërguara në Greqi për dosjen e Kelmend Balilit ka futur në vështirësi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është duke hetuar atë që cilësohet si “Eskobari i Ballkanit”. Hetuesit shqiptarë prisnin që këto përgjigje të mberrinin në fund të Dhjetorit, por që ende dhe sot nuk janë administruar.

Prokuroria shqiptare është në fund të afateve hetimore për Balilin dhe pritet që brenda dy javësh të vendosë për fatin e dosjes. Kelmend Balili akuzohet nga Prokuroria për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pjesa e madhe e hetimeve për këtë grup janë kryer në Greqi nga ku janë trafikuar sasi të konsiderueshme droge drejt Europës. Kelmend Balili është në kerkim nga autoritetet shqiptare për më shumë se dy vite dhe gjatë kësaj kohe nuk është mundur të prangoset, edhe pse ka pasur disa aksione policore. Prokuroria shqiptare për Balilin ka të faktuar të paktën një episod trafiku kanabisi nga Shqipëria drejt Greqisë. Në një gomone të nisur nga Saranda u transportuan 700 kilogramë hashash.

Grupi i Kelmend Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut të drogës në sasi të mëdha drejt Europës. Bazuar në hetime, Prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi koordinohej nga Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë dy vite më parë. Ngarkesa e fundit prej 100 kilogramë kanabis është kapur në Maj të vitit 2016 në depot e firmës së transportit të Potit në Belgjikë. Tv Klan ka mundur të zbardhë dhe 5 raste të tjera në të cilat nga polici të ndryshme europiane janë konfiskuar rreth 1,4 tonë kanabis dhe 23 kilogramë kokainë.

Tv Klan






Të ngjashme