Ishte duke folur në telefon me motrën, sulmohet për vdekje studentja
Australi- Një studente 21- vjeçare është sulmuar për vdekje në Melburn, teksa ishte duke folur në telefon me motrën e saj. Trupi i Aiia Maasarwe, nga Izraeli u gjet pranë Universitetit LaTrobe në veri të qytetit.
Ishte vonë dhe ajo kishte marrë një tramvaji, për të shkuar në shtëpi, pasi kishte qenë në një shfaqje komedie.
Motra e saj, dëgjoi zhurmën e telefonit që i ra në tokë si dhe disa zëra, ka thënë oficeri Andrew Stamper.
Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë. Ata nuk përjashtojnë dhe pistën se ajo është sulmuar seksualisht, shkruan gazeta e “Melbourne’s Age”.
Trupi i 21-vjeçares u gjet të enjten në mëngjes jashtë një qendre tregtare. Policia ka marrë të gjitha kamerat e zonës dhe është duke kontrolluar në mënyrë që të hedhë dritë mbi ngjarjen.
Pranë vendit ku është gjetur trupi i studentes, policia ka gjetur një kapele të zezë dhe një T-shirt ngjyrë gri.
Maasarwe ishte një studente e gjuhës kineze dhe angleze në një universitet në Shangai, tha xhaxhai i saj, Abed Katane, për mediat izraelite. Ajo kishte shkuar në Melburn në një program shkëmbimi eksperiencash në Universitetin LaTrobe, tha ai.
“Ajo ishte një studente e shkëlqyer, plot me jetë. Ajo nuk ishte aspak në një vend shumë të rrezikshëm”
, tha zoti Katane për gazetën
“Haaretz”.
Babai i saj ka arritur të identifikojë trupin, të cilin ambasada izraelite, tha se, do të ndihmonte me kthimin në Izrael.
Qershorin e kaluar vrasja e komedianes 22-vjeçare Eurydice Dixon shkaktoi zemërim të madh dhe debat për dhunën kundër grave në Australi.
Dixon u përdhunua dhe u vra, ndërsa po ecte për në shtëpi pas një shfaqje në Melburn.
Gjithashtu në vitin 2012, një grua irlandeze, Jill Meagher u përdhunua dhe u vra në veri të Melburnit, teksa ishte duke ecur për në shtëpi. Këto raste, por edhe të tjera kanë nxitur tubime masive lidhur me çështjen e sigurisë së grave.
/tvklan.al