Mos i besoni “Daily Mail”
Tabloidi britanik “Daily Mail” konsiderohet si një nga faqet kryesore të lajmeve të rreme. Njoftimi kësaj radhe ka ardhur nga browseri i Microsoft, “Microsoft Edge”. Kjo e fundit paralajmëron përdoruesit e internetit që të mos u besojnë lajmeve të “Daily Mail”, si pjesë e fushatës që ka nisur për të programuar një opsion që lufton lajmet e rreme.
Përdoruesit, sapo të hyjnë në “Microsoft Edge”, do të shikojnë një deklaratë ku thuhet se “
Daily Mail nuk përmbush në përgjithësi standardet themelore të llogaridhënies dhe saktësisë dhe është detyruar të paguajë dëmshpërblime në shumë raste”.
Ky mesazh që shfaqet në browserin e “Microsoft Edge”, është prodhuar nga një agjenci e quajtur “NewsGuard”, e cila paralajmëron publikun se tabloidi britanik publikon vazhdimisht lajme që kanë dëmtuar reputacionin e të tjerëve, kanë përhapur alarm të rremë dhe kanë cënuar privatësinë e personave.
NewsGuard drejtohet nga gazetarët dhe drejtuesit më me përvojë të industrisë mediatike botërore, të cilët thonë se po përpiqen të krijojnë standarde për cilësinë e lajmeve, aq më tepër në një kohë që është përhapur fenomeni i lajmeve të rreme.
Deri më tani, opsioni i “Microsoft Edge” që filtron lajmet e rreme dhe paralajmëron për faqe abuzive, mund të shkarkohej sipas dëshirës, por gjatë kësaj jave fillon instalimin automatik.
“Daily Mail” dhe pronari i këtij tabloidi nuk i janë përgjigjur një kërkese të “The Guardian” për koment lidhur me këtë çështje. /
tvklan.al