Hipotezë e re për rrëzimin e avionit ku udhëtonte futbollisti


Hipotezë e re për rrëzimin e avionit ku udhëtonte futbollisti

14:40 24/01/2019

Pa sukses kanë vazhduar kërkimet për gjetjen e avionit me të cilin udhëtonte futbollisti Emiliano Sala. Asnjë gjurmë nuk është gjetur, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar janë thuajse zero. Ekspertë të aviacionit kanë thënë se aeroplani mund të jetë rrëzuar për shkak të akullit në krahë, duke i bllokuar kështu pjesët e sistemit të drejtimit.

Aeroplani i tipit Piper Malibu, me dy persona në bord, ishte nisur nga Nantes dhe do të udhëtonte drejt Cardiff, kur u zhduk mesnatën e së hënës. Para se të humbiste nga radari dhe të shkëpuste komunikimet në radio me kullën e kontrollit, avioni i vogël kishte zbritur në një lartësi 700 metra. Para se avioni të humbiste, futbollisti Sala u dërgoi një mesazh zanor shokëve të tij, të cilëve u thoshte se kishte frikë dhe se aeroplani po dridhej. Kushtet e motit në hapësirën ku avioni fluturonte ishin të këqija.

Autoritetet kanë thënë se është e pamundur që dikush të mbijetojtë në ato kushte, ku era është shumë e fortë ndërsa deti është i trazuar. Megjithatë, nuk është gjetur asnjë pjesë e avionit të rrëzuar. Ajo që do të përcaktojë shkaqet e rrëzimit, do të jetë Kutia e Zezë nëse do të gjendet.

/tvklan.al






Të ngjashme