“Mercedesi i ëndrrave”
Fotografia e një makine të modifikuar ka nxitur reagim në rrjetet sociale. Fjala është për një automjet tip “Renault Megane” kabriole, që është sajuar sikur të jetë Mercedes-Benz.
Mbi kofano është vendosur stema e markës së gjigandit gjerman, po kështu edhe maskarino. Ndërsa përreth fenerëve të makinës, janë vendosur shiritë me drita led. Më shumë se 7 mijë pëlqime dhe 14 mijë komente ka mbledhur kjo foto pasi është publikuar në Facebook nga Rob Farrell, i cili kishte fotografuar mjetin të parkuar jashtë një qendre tregtare në Manchester.
Në fakt, makina origjinale është një Renault i vitit 2008 që kushton rreth 1700 Euro në Britani. Kurse automjeti Mercedes-Benz që pronari i mjetit është mundur të kopjojë, kushton 17 mijë Euro.
/tvklan.al