Rritet numri i qyteteve me protesta në Serbi
Që nga dita e parë e protestës së quajtur “Ndal këmishave të përgjakshme” që është mbajtur më 30 nëntor të vitit të kaluar, në Krushevc, një qytet në Serbinë Qendrore, numri i qyteteve, në të cilat demonstrohet një herë në javë kundër dhunës politike dhe prej të cilave dërgohen porosi për kreun e autoriteteve në Serbi, po bëhet gjithnjë e më i madh.
Shkak i fillimit të protestave ishte rrahja me shufra të metalta, më 23 nëntor, të njërit prej liderëve opozitar, Borko Stefanoviç.
Protestat “Ndal këmishave të përgjakura” kanë vazhduar për çdo të shtunë në Beograd, e të cilat më pas janë zgjeruar në mjaft qytete, në Novi Sad, Nish, Çaçak, Bor, Prokuple, Pozhegë, Uzhicë, Zajeçar, Shabac, Kralevë, etj.
Protestat, gjithnjë e më shumë po marrin mbështetjen e profesorëve dhe bashkëpunëtorëve të universiteteve në Serbi, e të cilëve u janë bashkuar edhe avokatët nga shumë qytete të Serbisë.
Protesta të qytetarëve fillimisht ishin evidentuar në fillim të vitit të kaluar, në Pozhegë, një qytet në perëndim të Serbisë, për arsye, siç thuhej, të natyrës lokale.
Slagjana Petroviq Varagiç, historiane e artit dhe ish-drejtoreshë e Qendrës Kulturore në Pozhegë, thotë se i kupton motivet e daljes së njerëzve nëpër rrugët e shumë qyteteve, të cilët sipas saj, kanë bindje të ndryshme politike, që nga e djathta e deri te e majta e skajshme.
“Kjo do të thotë se ai front po zgjerohet, se qytetet po zgjohen dhe do të thosha që frika po shuhet”, theksoi Petroviq Varagiç.
Profesori i Universitetit të Beogradit, Srgjan Bogosavljeviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat tregojnë që në opinionin publik serb edhe më tej bëhet fjalë për ndarjen në ata që janë “për” dhe ata që janë “kundër” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Është krejtësisht e sigurt se ekziston një numër i mirë i njerëzve, të cilët janë kundër Vuçiç, pra, rreth 36 për qind, më së shumti në Beograd. Po flasim me siguri për 1 milion njerëz. Kapaciteti i plotë i votuesve është prej 5 milionë deri në 5 milionë e gjysmë. Kështu që, është krejtësisht e sigurt që kjo gjeneron potencialin e protestave dhe mundësinë që protestat të zgjerohen”, theksoi Bogosavleviç.
Ndërkaq, Gjorgje Paviçeviç, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë,thotë se demonstratat nëpër qytetet e Serbisë, nxisin një pikëpyetje, nëse ato kanë efekt mbi njerëzit që kanë votuar për Vuçiqin dhe a janë në protesta njerëzit që nuk e votojnë Vuçiqin, por vetëm kanë vendosur që këtë ta shprehin publikisht. Ai thekson që në Serbia është duke ndodhur diçka, por që ende nuk dihet se cili do të jetë artikulimi politik, i cili, megjithatë në fund të fundit, pritet nga partitë politike.
“Aktualisht, sa po e vërej, behët fjalë për këtë. Protestat e fundit kanë dërguar apel që kërkesat të artikulohen politikisht. Tash, partitë politike duhet të japin garanci të forta, në mënyrë që qytetarët t’u besojnë se do të jetë më ndryshe në rast se votojnë për to dhe nëse do të jenë në pozitë që të ndryshojnë diçka”, u shpreh Paviçeviç.
Në anën tjetër, opozita dhe lëvizjet që i mbështesin protestat, pas takimit që kanë pasur me 25 janar në Beograd, kanë thënë se në periudhën e ardhshme do të dalin me platformë konkrete.
Profesori Bogosavljeviç thotë se çështja ka të bëjë me atë se cilat janë kërkesat reale të njerëzve që protestojnë.
“Në qoftë se protestat bëhen që të hyjmë në bojkot, ato nuk do të mund të zgjasin shumë. Përderisa nuk kanë artikulim politik, protestat kanë potencial që të zgjerohen, por shtrohet pyetja, për çka bëhet e gjithë kjo, në qoftë se në fund nuk mund të përfitoni politikisht”, tha Bogosavljeviç.
Por, a ka nisur që protestat ta heqin frikën e qytetarëve në Serbi apo këto protesta janë vetëm një shfryrje e përkohshme e votuesve që janë kundër Vuçiç?
Petroviç Varagiç beson që mospajtimet kanë energji.
“Ekziston një grupe në Facebook, i cili quhet ‘Topi i borës që po shndërrohet në ortek’. Kështu që po shpresoj që ky ‘top bore’ që po zgjerohet nëpër qytetet e Serbisë, mund të sjellë deri tek ajo që në këtë shtet të kthehet demokracia, të kthehet ligji dhe institucionet. Unë po shpresoj që në këtë mospajtim ka energji”, theksoi Petroviç Varagiç.
Ndërkaq, Paviçeviç shpreh mendimin se duhet pritur për të parë nëse protestat do të vazhdojnë.
“Mund të thuhet se është nisur ‘topi i borës’, por se a do të rrokulliset edhe me tej, kjo është diçka që mbetet të shihet. Por, është i saktë fakti se diçka është nisur dhe se tashmë ekziston”, tha Paviçeviç.
Pjesëmarrësit në protesta, kryesisht kanë theksuar që motivi i tyre për të protestuar është funksionimi i institucioneve që kanë kompetencat përkatëse, e të cilat, sipas tyre, tashmë janë në duart e një njeriu./REL