Rrëfehet politikania: Fëmijërinë time e kam quajtur të burgosur (Video)
Edita Tahiri është një lidere, politikane, diplomate dhe negociatore e njohur shqiptare. Fëmijëria e saj ka qenë e vështirë. Babai i saj ka qenë në burg në kohën e Rankoviçit, pasi është angazhuar në veprimtari kombëtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ka qenë i dënuar kur Edita ishte vetëm 11-muajshe. Në mungesë të babait dhe angazhimeve të nënës, e cila punonte dyfish më shumë për ta mbajtur familjen, ende sot e kujton fëmijërinë me nostalgji e bindur që këto rrethana ishin përcaktuese të orientimit të saj të mëvonshëm, në shërbim të çështjes kombëtare.
E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Tahiri tregoi se pas daljes nga burgu, babait të saj iu desh të mjekohej për 10 vjet në qendra të ndryshme neuropsikiatrike.
“Politika ka qenë një udhëtim pak i planifikuar e më shumë i krijuar nga rrethanat. Patëm një histori të gjatë si komb shqiptar, ne mbetëm jashtë kufijve të Shqipërisë dhe ishim më të shtypur. U rritëm me ndjenjën e padrejtësisë që na ka ndodhur si komb. Unë e kisha në familje këtë tragjedi. Nëna ime nga Shqipëria dhe babai nga Prizreni, të cilët ishin martuar gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ne nuk kishim kufij dhe ishim të bashkuar. Babain e futën në burg në përpjekjet e tij për bashkimin kombëtar në kohën famëkeqe të Rankoviçit që ka shtypur shqiptarët. Kur babai doli nga burgu unë isha 6 vjeç dhe kam qenë vetëm 11 muaj kur ai hyri në burg. Fëmijërinë time e kam quajtur të burgosur sepse nënës i ra barrë jo vetëm të na mbajë ne, por edhe të mbështesë babain. Në familjen tonë reflekton tragjedia e shqiptarëve, por sot jemi mirë. Kosova është e pavarur. Nëna ime vdiq me mallëngjim dhe ëndrra pa e parë familjen. Këto ishin frymëzimet dhe faktorët që ndikuan kohë pas kohe në formimin e personalitetit tim individual me orientim në shërbim të çështjes kombëtare”,
tha Tahiri.
/tvklan.al