Edita Tahiri përtej politikës (Video)
Ajo është një nga gratë më të rëndësishme të politikës shqiptare në Kosovë. Një personalitet që është angazhuar herët në politikë, madje në kushte të vështira të mungesës së stabilitetit të politikës kombëtare të Kosovës dhe një njohëse e mirë e luftës në të gjitha dimensionet e saj.
Por përtej angazhimeve të shumta e të rëndësishme politike, Edita Tahiri duket se di të gjejë kohë edhe për vete. Ajo tregoi sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan se ka hobi udhëtimet dhe se bën disa të tilla gjatë vitit. Politikania shtoi se preferon artin, muzikën klasike dhe se e intrigon gjithësia dhe ndjek me interes lajmet e NASA-s.
“Përveç 10-vjeçarit kur kam qenë ministre e Jashtme e Kosovës 10 vjet, pas Luftës së Kosovës i kam ndarë dhe i ndaj kohë vetes. Unë nuk zgjohem herët sepse fle vonë dhe ajo kohë e mëngjesit është e imja, nuk kam dëshirë të pengohem. Pastaj udhëtimet i kam hobi dhe gjatë vitit kam disa të planifikuara për konceptin tim. Dhe këto lidhen jo vetëm me vizita për të parë vendin, por edhe muzetë. Preferoj shumë artin, muzikën klasike. Është hera e parë që e them, por ku kam qenë fëmijë kam qenë e intriguar me gjithësinë edhe sot e kësaj dite ndjek lajmet e NASA-s. Këto janë gjëra që ma marrin kohën nga pak”,
tha politikania.
/tvklan.al