Skadon afati për Maduron
Skadon sot ultimatumi që vendet kryesore europiane i vendosën udhëheqësit majtist venezuelian Nikolas Maduro për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i bënë thirrje Maduros që brenda 8 ditëve të përcaktonte datën e zgjedhjeve të parakohshme. Në të kundërt ata do të zyrtarizonin njohjen e kreut të opozitës Huan Guaido si President të përkohshëm, duke nxitur po ashtu edhe Bashkimin Europian të ndërmerrte këtë hap.
Ultimatumin gjithsesi Maduro e ka refuzuar që javën e kaluar, teksa propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda këtij viti. Në Karakas manifestimet pro dhe kundër Maduros kanë vijuar edhe gjatë së shtunës, ndërsa komandanti i divizionit të Forcave Ajrore shpalli publikisht mbështetjen për Guaidon.
Në një mesazh të publikuar në Youtube, Rodrigez tha se 90% e ushtrisë janë kundër Maduros. Vendimi i tij u përshëndet në Twitter nga këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, i cili bëri thirrje për dezertim masiv të ushtrisë në mbështetje të demokracisë. Perëndimi është renditur në krah të Guaidos, ndërsa Maduro ka mbështetjen e Rusisë, Kinës e Turqisë.
Tv Klan