Policia për 16 Shkurtin: Synohet destabilizimi
Në tubimin e planifikuar nga opozita në 16 Shkurt, policia thotë se mund të përfshihen persona me precedentë kriminalë që synojnë të nxisin trazira. Teksa u është drejtuar me një thirrje organizatorëve të shmangin çdo klimë tensioni që mund të çojë në akte dhune, policia ka lajmëruar se do të kryejë kontrolle të mjeteve që do i drejtohen Tiranës për protestën e opozitës.
“Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 Shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike. Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”.
Këtë deklaratë të policisë, Partia Demokratike e quajti dëshmi të frikës që Edi Rama ka nga protesta e 16 shkurtit.
“Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi, njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar”
, tha Gazment Bardhi.
Opozita i kërkon policisë t’u rrijë larg protestuesve dhe rë mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre drejt Tiranës, në të kundërt sipas saj,
“secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore”!
Tv Klan