Franca: Maqedonia nuk është gati për BE
Franca nuk është ende gati t’i thotë po hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Ministrja franceze për çështjet europiane, Nathalie Loiseau e pyetur rreth vizitës së pritshme në Shkup, tha se Franca do jetë shumë më prezente në Ballkan sesa vitet e shkuara për të ndihmuar për reformat e integrimit. Por sipas saj nuk duhen përshpejtuar negociatat e anëtarësimit.
“Do vizitoj Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Jam e lumtur që do shkoj në Maqedoninë e Veriut pas zhvillimeve të fundit shumë pozitive. Kjo nuk do të thotë, që duhen përshpejtuar negociatat. Duhet që së pari Europa të reformohet dhe këto vende të shkojnë në drejtimin e duhur. Por, nëse u themi, që të shkojnë në këtë drejtim, duhet t’i shoqërojmë. Kjo është ajo që do bëj, duke siguruar që Franca do jetë më prezente në Ballkan sesa vitet e shkuara”.
Këtë deklaratë, ministrja franceze e bëri në fillim të takimit të punëve të jashtme të Bashkimit Europian, të mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi problemet e shtetit ligjor në Poloni dhe Hungari, Brexit dhe përgatitjen e samitit të liderëve europianë të Marsit. Ky është qëndrimi që Franca ka mbajtur edhe në takimin e ministrave të Jashtëm në Qershor të 2018, që mbetet deri tani i pandryshuar.
Tv Klan