Edhe telefon, edhe tabletë


Edhe telefon, edhe tabletë

14:11 25/02/2019

Huawei zbuloi së fundmi smartphone-in e tij të parë i cili paloset, duke ndjekur kështu hapat e Samsung, që po ashtu prezantoi javën e shkuar telefonin e tij të palosshëm.

E teksa telefoni i ri i Huawei, i quajtur Mate X, ka padyshim pamje tërheqëse, ai vjen me një çmim të kripur prej 2,299 euro. Mate X ka ekran fleksibën OLED si nga para, ashtu edhe nga pas, por mund të hapet dhe të shndërrohet në një tabletë me ekran 8 inç.

Javën e shkuar, gjigandi tjetër i smartphone-ve, Samsung, prezantoi pajisjen e tij Galaxy Fold, që ka një ekran normal, por kur hapet shndërrohet gjithashtu në tabletë.

Huawei pretendon se Mate X është smartphone i përkulshëm 5G më i shpejtë në botë. Sipas kompanisë, pozicioni i saj si prodhuese e infrastrukturës së rrjetit 5G i ka dhënë një avantazh unik, ashtu sikurse edhe mundësinë për të testuar telefonin me rrjetin 5G, përpara daljes në treg.

Pajisja e re e Huawei vjen me sensor të njohjes së shenjave të gishtërinjve në butonin ku ndizet, ndërsa ka sistem inxhinierik kamerash të firmës gjermane Leica.

Mate X ka një bateri mjaft të madhe, 4500mAh, si dhe SuperCharche, që i jep mundësinë që karikohet nga zero në 85 përqind, në vetëm 30 minuta.

/tvklan.al






Të ngjashme