Policia arreston 3 drejtuesit e klubit të Kamzës
Policia arreston të gjithë drejtuesit e klubit të futbollit të Kamzës për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit të takimit Kamza – Laçi. Të prangosur janë Presidenti Naim Qarri, drejtori sportiv Andi Matraxhiu dhe shefi i klubit, Albert Bana. I ndaluar në komisariat ndodhet dhe një tifoz, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim.
Ata akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe prishje të qetësisë publike. Shkak është bërë një penallti e akorduar në sekondat shtesë të takimit për laçianët, që ka sjellë sulmin e drejtuesve të klubit të Kamzës por edhe të tifozëve ndaj kryesorit Eldorian Hamiti.
Përpjekjet e stjuartëve për të qetësuar situatën ishin të pafuqishme. Për të ndaluar më tej dhunën, në fushë hyri dhe policia e rendit. Pas takimit që u mbyll në barazim 1 me 1, gjyqtari i dhunuar iu nënshtrua kontrolleve në spital.
Federata Shqiptare e Futbollit dënoi dhunën, dhe duke marë shkas nga këto ngjarje kërkoi ndryshimin e ligjit për rikthimin e forcave të rendit brenda stadiumeve. Të hënën pritet që zyrtarë të këtij institucioni të dalin në konferencë për shtyp. Ndërkohë që dhe takimi tjetër i kësaj të diele, ai mes Flamurtarit dhe Kastrioti u mbyll në barazim 1 me 1.
Tv Klan