
30 vjet mësuese, Almetaj: Nxënësit janë lumturia ime (Video)
Ajo ushtron profesionin e mësueses prej 30 vitesh. Dhurata Almetaj çdo ditë me përkushtim të madh edukon brezin e ri. Ajo i ka kushtuar jetën e saj një ndër profesioneve më fisnikë në botë, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve duke iu dhënë atyre forcën dhe vullnetin për të ecur të sigurt në rrugën e dijes. Fillimet e saj në arsim kanë qenë në Shëngjergj të Tiranës, kanë vijuar në Durrës, për t’u rikthyer sërish në kryeqytet, ku vazhdon ende sot si mësuese, në shkollën “Fan Noli”.
Ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku tha se pavarësisht lodhjes, mirënjohja dhe dashuria që i falin nxënësit për të është thesar.
“Vërtetë profesioni i mësueses është i lodhshëm, ti fal nga dashuria jote, por merr aq shumë mirënjohje dhe respekt, sa harron lodhjen dhe problemet e përditshme. Çdo ditë ne shkojmë përpara nxënësve në shkollë, por sot i gjetëm aty para se të shkonim ne. Fëmijët ta kuptojnë edhe lodhjen, edhe gëzimin, ata kuptojnë gjithçka. Ne punojmë me fëmijë të vegjël dhe kur vijnë dhe na thonë: “Mësuese të kemi lodhur shumë, por të duam pafund”, nuk ka ndjesi më të mirë. Çdo 7 Mars ndryshon nga tjetri, por ajo që nuk ndryshon është dashuria që merr nga fëmijët. Mësuesit nuk bëhen të pasur, por dashuria që marrin është thesar. U bënë vite që e kam nisur profesionin e mësueses. Unë vij nga një familje ku thuajse të gjithë anëtarët punojnë në arsim, unë jam rritur me dashurinë për këtë profesion”,
tha Dhurata Almetaj.
/tvklan.al