Gramafonat, dëshmitë e rralla të kohës (Video)


Gramafonat, dëshmitë e rralla të kohës (Video)

19:00 09/03/2019

Mund të themi pa frikë se vinylet janë kthyer në një fenomen të vërtetë për kulturën popullore gjatë viteve të fundit. Ndërsa artistët e punimeve artizanale apo arkitektët e bareve duket sikur janë magjepsur prej pllakës së zezë të gramafonit.

Prej vitesh Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ruan një thesar të vërtetë gramafonash të vjetër që datojnë që prej vitit 1903. Një pjesë e fondit të çmuar që prej javës së kaluar ndodhet e ekspozuar për vizitorët në një prej vendodhjeve më të frekuentuara të kryeqytetit, tek Kalaja e Tiranës.

Çdokush mund të shikojë nga afër dëshmitë e rralla të kohës kur muzika luhej për t’u dëgjuar nga të gjithë ata që ndodheshin në Romë. Elsa Saka, përgjegjëse në DPA tha për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan se gramafonat i janë dhuruar Arkivës së Shtetit nga një koleksionist anglez. Ajo tregoi se në Arkivën e Shtetit ndodhen 2 fonografë, 17 gramafona të prodhimeve të ndryshme dhe një gramafon elektrik, të cilët së shpejti do të jenë të ekspozuar në një muze.

“Në Shqipëri nuk janë prodhuar ndonjëherë gramafona. Ato i janë dhuruar Arkivës së Shtetit nga një koleksionist anglez, Martin Moier në vitin 1986 dhe është një nga fondet e rralla dhe më të pasura në Shqipëri. Ne kemi 2 fonografë, 17 gramafona të prodhimeve të ndryshme dhe një gramafon elektrik. Kemi në plan që tek Arkivi i Shteti të bëjmë një muze dhe gramafonat do të shfaqen vazhdimisht aty”

, tha Saka.

Jo vetëm të rralla, por gramafonat dhe vinylet e Drejtorisë Shqiptare të Arkivave rrëfejnë momentet më emblematike të historisë së muzikës botërore, madje që prej kohës kur muzika e luajtur në një disk dukej një fantazi.

/tvklan.al






Të ngjashme