“Kujdes kujt ia besoni fëmijët tuaj” (Video)


“Kujdes kujt ia besoni fëmijët tuaj” (Video)

20:16 15/03/2019

Për dekada me radhë, Michael Jackson është quajtur “Mbret i Pop-it” dhe një nga këngëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por, gjithçka është vënë në dyshim pas shfaqjes së dokumentarit “Duke lënë Neverlandin” që u publikua në SHBA dhe Britani këtë javë.

Në dokumentar, James Safechuck dhe Wade Robson pretendojnë se janë abuzuar nga këngëtari kur ishin fëmijë. Ndërkohë familja e Jackson ka mohuar akuzat.

Sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan është folur pikërisht për rastin e këngëtarit Michael Jackson. Gazetaret Rovena Rozhani, Dasara Karaiskaj dhe psikologia Anxhela Peza ishin të ftuara në emision për të folur rreth dokumentarit “Duke lënë Neverlandin” dhe pedofilisë.

Sipas tyre, prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe të flasin me fëmijët e tyre. Po ashtu të ftuarat i bënë thirrje prindërve të jenë më vigjilentë dhe të kenë kujdes kujt iu besojnë fëmijët e tyre.

Është shembur besimi tek njerëzit, tek idhujt. Ka njerëz që e besojnë, ka të tjerë që nuk e besojnë dhe nëse e hapim edhe në këto momente internetin dhe t’i referoheni rrjeteve të rëndësishme informative do të shikoni po të njëjtin debat pro dhe kundër kësaj teme. Personalisht jam dyshuese për sa i përket idhujve. Kam pasur edhe unë idhujt e mi dhe kam arritur të shikoj një dallim mes artistit dhe njeriut. Jeta dhe përvoja e punës më ka bërë të kuptoj se ata që shohim në ekran dhe dëgjojmë, jo gjithmonë janë ashtu. Unë do doja që të flitej për këtë gjë që prindërit të jenë më vigjilentë, të flasin me fëmijët e tyre sepse në fund të ditës bota nuk rrotullohet vetëm rreth parasë”

, tha gazetarja Rovena Rozhani.

“Unë mes dashurisë që kam për artin e tij dhe thashethemeve që kanë ekzistuar që kur ai ka qenë gjallë, kam dëshirë që në parim të bëhet një dallim që puna nuk duhet të përzihet me pikëpamjen personale të një personi. Në rastin e Michael Jackson është shumë e koklavitur. Muzikën e tij dhe kërcimin vazhdoj ta adhuroj, e dua njëlloj, por si prind nuk do t’i lejoja fëmijët e mi që në moshën 10-vjeçare të hipnin në avionin e tij. Sot që gjykoj ftohtë do të thosha se pavarësisht madhështisë që ai kishte si artist, njihej që nuk ishte normal. Kjo është thënë gjithmonë për të”

, tha Karaiskaj.

“Ky ka qenë një lajm tronditës për të gjithë fansat në mbarë botën. Në lidhje me të dhënat dhe informacionet që janë dhënë nëpërmjet një dokumentari, unë gjykoj që është tronditëse për të gjithë ata prindër që duan t’i aktivizojnë fëmijët e tyre në programe, emisione apo personazhe të ndryshëm të cilëve iu besojnë nga fasada që ata kanë. Prindërit kanë menduar se është fat i madh që dikush i merr fëmijët dhe asiston për të ardhmen e tyre, por kjo nuk do të thotë që të neglizhojnë si prindër. Është përgjegjësi e madhe që fëmijët t’ia besosh dikujt që t’i nuk e njeh fare si njeri. Po të shohësh profilin e tij ai gjithnjë ka qenë i shoqëruar me fëmijë edhe në klipet e tij janë të përfshirë fëmijët. Shkëlqimi dhe pozitiviteti që ai ka pasur nuk do të thotë që duhet t’i besojmë

“, u shpreh psikologia Anxhela Peza. 

/tvklan.al






Të ngjashme