Pengu i aktorit Nik Xhelilaj (Video)
Nga “Ttrishtimi i zonjës Shnaider”, tek “Shqiptari” për ta parë më pas në produksione miliona euroshe si “Winnetou” i televizionit publik gjerman RTL apo në serialet turke. Nik Xhelilaj është pa frikë ndër të paktët aktorë që nga filmat shqiptarë ka mundur t’i bëjë rrugë vetes në kinematografitë historike të Europës.
Në një intervistë për “Jo vetëm modë” në Tv Klan, Xhelilaj tregoi detaje rreth projekteve të tij, ndërkohë që kujtoi daljen e parë nga Shqipëria drejt Londrës. Ai tha se pasi jetoi atje për gati 9 muaj iu ofrua një projekt, i cili i ka mbetur peng pasi nuk mundi ta realizojë sepse kishte firmosur për një serial në Turqi.
“Një kontakt i mirë më propozoi për tek seriali “Aldylhamid”, i cili kishte filluar sezonin e parë. Unë jam futur në sezonin e dytë. Në serial jam krahu i djathtë i Parposit, personazhit që kërkon të eliminojë Abdylhamidin. Dola nga seriali sepse më erdhi një propozim tjetër, ku luaj rolin e një “terroristi të mirë” nga Prizreni. Kur dola fillimisht nga Shqipëria shkova në Londër, jetova atje për 8-9 muaj, por nuk doli ajo që desha. Në momentin që doli, unë kisha hedhur firmën për një projekt në Stamboll për serialin e parë dhe më ka ngelur peng”,
tregoi Xhelilaj. /tvklan.al