12 mjekë specialistë i shtohen Spitalit Rajonal të Vlorës


12 mjekë specialistë i shtohen Spitalit Rajonal të Vlorës

14:17 05/04/2019

Poliklinika e qytetit të Vlorës po transformohet me një investim të qeverisë prej 1 milion Euro në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore moderne.  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin që po kryhet në poliklinikën e specialiteteve, që i shërben rreth 150 mijë qytetarëve në vit.

“Ky është një model i transformimit të qendrave të specializuara që i shërben jo vetëm qytetarëve të Vlorës por edhe turistëve të shumtë. Garanton edhe shërbimin e urgjencës mjekësore, përveç 17 shërbimeve të specializuara që do të ofrojë”,

u shpreh Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe në spitalin e Vlorës, ku sapo janë punësuar 12 mjekë specialistë.

“Ne po investojmë jo vetëm në infrastrukturë por investimi më i rëndësishëm është ai në burime njerëzore. 12 mjekët specialistë që tashmë kanë nisur punë në spitalin e Vlorës kanë plotësuar ato mungesa që kishim në këtë spital, për shërbime si kardiologjia, onkologjia, urgjenca”,

tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë inkurajoi mjekët e rini që i janë bashkuar spitalit të Vlorës, duke lajmëruar edhe rritjen e pagave.

“Që nga data 1 Prill ka nisur rritja e pagave me 7% për 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë”,

tha Manastirliu.

Spitalit rajonal të Vlorës i janë shtuar edhe 3 autoambulanca moderne, duke përmirësuar jo vetëm kohën e pritjes por edhe cilësinë e shërbimit të urgjencës në territor. Investimet e fundit në spitalin e Vlorës kanë mundësuar shërbime të reja, si, ndërhyrjet me metoda të avancuara me aparaturën e laparoskopisë. 600 mijë euro është vlera e investimit në aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë në spitalin rajonal të Vlorës, duke siguruar shërbim të specializuar, afër vendbanimit.

/tvklan.al

 

 






Të ngjashme