Altin Isaraj sërish në telashe


Altin Isaraj sërish në telashe

11:04 09/04/2019

Altin Isaraj, vëllai i ish-Drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj, ka përfunduar sërish në pranga. 48-vjeçari, i cili ndodhej në arrest shtëpie, këtë herë u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit. Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës sqaron se Isaraj u ndalua pas një telefonate nga qytetarët, të cilët raportuan se në rrugën e rezervave të shtetit ishte qëlluar në ajër me armë zjarri nga një makinë.

Në bazë të karakteristikave të dhëna, autoritetet policore ndaluan makinën që drejtohej nga 48-vjeçari. Bashkë me të ndodheshin edhe dy pasagjerë, dy vëllezër të moshës 15 vjeç dhe 27 vjeç.

Gjatë kontrollit Isarajt iu gjet një pistoletë, dy krehëra dhe 21 fishekë.

Kjo nuk është hera e parë që Altin Isaraj përfundon në pranga. Në tetor të vitit që lamë pas, ai u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike. Pikërisht për këto akuza ishte lënë fillimisht në arrest me burg, e më pas në arrest shtëpie.

Arrestimi i tij në atë kohë bëri që i vëllai, Arben Isaraj, i cili ishte drejtor i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, të jepte dorëheqjen, me arsyetimin që të mos ndikonte direkt apo indirekt në hetimin e vëllait të tij.

/tvklan.al






Të ngjashme