Ushtria në Rinas, tjetër debat mes Presidentit dhe Kryeministrit
Vendosja e efektivëve të Policisë Ushtarake në perimetrin e sigurisë së aeroportit ka ndezur një debat të ri mes Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama. Ky vendim, i cili pasoi grabitjen e disa miliona eurove në pistën e Aeroportit Nënë Tereza është komentuar si antikushtetues nga kreu i opozitës, ndërsa Presidenti, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi ka lënë të kuptohet se ndan të njëjtin shqetësim.
Në një lajmërim të shpërndarë thuhet se kreu i shtetit i ka kërkuar informacion në mënyrë zyrtare Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, se mbi ç’bazë ligjore janë vendosur efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së Aeroportit Nënë Tereza.
Sipas tij, vetëm pasi të ketë një informacion më të plotë ky institucion do mund të bëjë një reagim publik.
Por Kryeministri i cilëson si marrëzi qëndrimet kundër kësaj masë të ndërmarrë nga qeveria. Në rrjetet sociale Rama poston një foto të një aeroporti të huaj ku patrullojnë brenda tij forca ushtarake dhe sqaron se Ushtria Shqiptare është vendosur thjeshtë në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë.
“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë.
Prandaj kush flet për shkelje Kushtetute, gjendje lufte, junte ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”.
Vetë Kryeministri, por dhe anëtarë të kabinetit të tij kanë bërë përgjegjës për mosmarrjen e masave për ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit, koncesionarin kinez që e administron Rinasin.
Tv Klan