RUDINA – EMISIONI 11 PRILL 2019
Gresa Behluli– Këngëtare
Ajo është një këngëtare e njohur e muzikës popullore e moderne në Kosovë, por edhe vajza e një prej këngëtareve të mëdha, Shkurte Fejza.
Bëhet fjalë për Gresa Behlulin, e cila vetëm para pak ditësh i dha fund beqarisë, në një dasmë madhështore. Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi emocionet e ditës së saj të dasmës.
“Kisha shumë stres përpara dasmës dhe do doja t’i thoja vajzave ta shijojnë dhe të mos stresohen gjatë organizimit. Kam kënduar me mamin natën e dasmës dhe është kënga më e veçantë që unë kam kënduar deri tani. Kënga ishte përgatitur vetëm për atë natë. Është këngë që i përshtatet ditës së dasmës dhe titullohet “Nëna përcjell vajzën”. Dekorin e zgjodha sipas preferencave të mia dhe e përshtata edhe me fustanin, i cili ishte stil mbretëror. Grimin e zgjodha shumë natyral, doja të dukesha e thjeshtë. Disa prej veshjeve dhe fustanin e bardhë atë kryesorin kam zgjedhur t’i mbaj për vete. Këpucët preferova të mos i zgjedh shumë të larta, madje mbajta një palë që i kisha blerë një vit e gjysmë më parë sepse të rejat të vrasin”, tha Gresa Behluli.
Këngëtarja po ashtu tregoi se njihej me bashkëshortin e saj prej 10 vitesh, por ka preferuar ta ruaj jetën private pasi e konsideron të shenjtë.
“Unë isha shumë e re kur e njoha Lulzimin. Ai ka një biznes privat dhe unë kam këto punët profesionale dhe gjithmonë jemi kombinuar në këtë pikë. Kemi një lidhje shumë të shëndoshë, nuk jemi ndarë asnjëherë në këto 10 vite. E kam ruajtur jetën private sepse për mua ka qenë e shenjtë. Ai ka shije të mirë për muzikën, por nuk është pjesë e artit. Pavarësisht angazhimeve profesionale që kemi të dy, krijimi i familjes për mua është prioritet”, u shpreh këngëtarja.
Tefta Pajenga – Shefe Kuzhine
Të përgatisësh bukën në shtëpi është me të vërtetë diçka emocionuese dhe e shëndetshme për stomakun. Ajo të tundon që në momentet kur nis të piqet në furrë, kur mbush gjithë shtëpinë me aromën fantastike të saj.
Dhe pikërisht për të na treguar recetën se si të përgatisim vetë në shtëpi bukën, ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan shefja e njohur e kuzhinës, Zonja Tefta.
“Për përgatitjen e bukës integrale nuk përdorim maja, por brumë të ardhur. E tresim atë fillimisht me ujë, më pas shtojmë vaj ulliri dhe kripën. Më pas miellin integral. Për 450 gr miell duhen 350 ml ujë. Më pas përziejmë farat me pak miell dhe i shtojmë tek brumi. Pasi brumi bëhet gati e mbulojmë me pecetë dhe e lëmë të qëndrojë 45 deri në 50 minuta. Pasi të vijë e vendosim në tavë, hedhim mbi të fara susami. E mbulojmë sërish dhe lëmë të qëndrojë për 45 minuta. Më pas e fusim në furrë dhe e pjekim në 240 gradë. Nëse duam që korja të jetë e butë, atëherë vendosim një enë me ujë poshtë zgarës ku kemi vendosur buka dhe ajo nuk e lejon koren të forcohet”, tregoi Zonja Tefta.