Përgjaken Pashkët
Të paktën 207 persona kanë mbetur të vrarë dhe 400 të tjerë të plagosur si pasojë e disa shpërthimeve në kisha e hotele në Sri Lanka.
Sipas BBC bëhet fjalë për të paktën 8 shpërthime. 3 prej tyre ndodhën nën kishat në Kochchikade, Negombo dhe Batticaloa, gjatë kohës që mbaheshin shërbimet e Pashkëve. Hotelet Shangri La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury, të cilën ndodhen në Colombo, ranë gjithashtu pre e sulmeve. Në mesin e të vrarëve në Colombo, të paktën 9 prej tyre janë shtetas të huaj. Presidenti i vendit Maithripala Sirisena u bëri thirrje njerëzve që të ruanin qetësinë dhe të mbështesnin autoritetet në hetimet e tyre. Ndërsa Kryeministri Ranil Wickremesinghe pritet të mbajë një mbledhje emergjente."Dënoj me forcë sulmet mbi njerëzit tanë. U bëj thirrje popullit të Sri Lanka që të qëndrojnë të bashkuar dhe të fortë gjatë këtij momenti tragjik"
, tha ai. Ministri i Financave, Mangala Samaraweera në një postim në Twitter tha se sulmet ishin të mirë koordinuara me qëllim që të krijonin kaos e anarki dhe të vrisnin sa më shumë njerëz të pafajshëm. Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve. Kohët e fundit në vend është rritur frika se luftëtarët e Shtetit Islamik, të rikthyer nga Lindja e Mesme mund të kthehen në kërcënim për vendin. Që prej fundit të luftës civile në Sri Lanka, në 2009-n, ka pasur raste sporadike dhune, kryesisht nga anëtarët e komunitetit Budist Sinhala, të cilët në qendër të sulmeve të tyre kanë xhami dhe prona të myslimanëve. Kjo bëri në që Mars të 2018-s në vend të shpallej emergjenca kombëtare./tvklan.al