Këngëtarja Greta Zani rrëfen 27 vitet e saj në muzikë (Video)
Ajo është padiskutim një nga zërat më të ëmbël të Shqipërisë së mesme. Bëhet fjalë për Greta Zanin, e cila ka studiuar për 2 vite Inxhinieri Ndërtimi, por dëshira për këngën bëri që ajo të linte studimet dhe t’i përkushtohej totalisht muzikës. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku foli për jetën e saj si këngëtare dhe tregoi si nisi rrugëtimin në muzikë.
“Me muzikën kam nisur që kur kam qenë në 8-vjeçare, duke u marrë me aktivitetet e shkollës. Nuk e kisha menduar që do bëhesha këngëtare. Pas përfundimit të shkollës vazhdova gjimnazin pasi nuk fitova në Lice. Ka qenë gjyshi im iniciativa e parë që unë të vazhdoja kanto, por fati nuk deshi. Konkurrova dy herë dhe nuk fitova.
Në gjimnaz e lashë këngën fare. Ishte përsëri gjyshi ai që më çoi në miniansamblin e Ministrisë së Rendit në 1992. Tenori Nevruz Yzeiri kur më dëgjoi më tha: “Ti nuk do bëhesh inxhiniere, do bëhesh këngëtare”. E kam nisur karrierën me muzikë të lehtë, të huaj dhe kisha shumë kurajo nga të tjerët që duhej të vazhdoja. Kur u hapën kufijtë dhe kur leku ishte sheshit u josha dhe iu futa muzikës popullore”
, tregoi Zani.
/tvklan.al