
Garat me makina i marrin jetën gruas, në kërkim shqiptari në Gjermani
Vdekja e një gruaje të pafajshme në një aksident rrugor si pasojë e garave në rrugë në qytetin Moers të Gjermanisë, ka bërë që policia të shpallë në kërkim një shqiptar të Kosovës. Mediat gjermane raportojnë se dy automjete, Mercedes-Benz dhe Range Rover po bënin gara mes tyre.
Nga garat me shpejtësi të lartë, automjeti Range Rover u përplas me një makinë tjetër me të cilën udhëtonte një grua 43-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën në spital për shkak të plagëve të rënda.
Njëri prej shoferëve që merrnin pjesë në gara u ndalua nga autoritetet gjermane. Tani policia po kërkon shoferin e dytë, i cili është Kushtrim Hoti 21 vjeç me origjinë nga Kosova. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve të japin informacion nëse kanë dijeni për vendndodhjen e tij, raporton NRZ.de.
Garat ilegale të makinave janë kthyer në një fenomen shqetësues në Gjermani. Nga fillimi i vitit 2019 deri më tani janë regjistruar 11 të vdekur si pasojë e aksidenteve në garat ilegale të makinave. Për rastin e fundit, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë, i cili ka bërë apel të fortë se rrugët e qyteteve nuk janë për gara dhe kushdo që nuk respekton rregullat do të marrë ndëshkimin e merituar.
/tvklan.