Kundërpërgjigja e ashpër


Kundërpërgjigja e ashpër

19:22 05/05/2019

Ushtria izraelite iu kundërpërgjigj raketave të Hamasit të hedhura nga territori i Gazës drejt Ashkelonit e zonave të tjera të banuara në jug të Izraelit orët e fundit. 5 persona humbën jetën nga shkëmbimet e zjarrit me raketa e bomba mes dy palëve, që prej orëve të para të mëngjesit të së dielës. 3 prej viktimave janë izraelitë nga Ashkeloni, 2 të tjerë palestinezë, një grua dhe e bija 14 muajshe. Mbi 100 është numri i të plagosurve.

Bëhet fjalë për përplasjet më të ashpra prej 2014-s, çka detyruan kryeministrin Benjamin Netanjahu të ndërmarrë masa ekstreme.

“Urdhërova ushtrinë të intensifikojë sulmet kundër elementëve terroriste në Rripin e Gazës. Forcave izraelite përreth Gazës do t’i shtohen tanket, artileria dhe këmbësoria”,

tha ai

.

Ekstremistët e Hamasit kanë hedhur prej të premtes mbi 600 predha në territorin izraelit, shumica e të cilave u neutralizuan nga mbrojtja raketore izraelite. Ndërsa ushtria e Tel Avivit ka goditur mbi 250 objektiva palestineze. Përplasjet nisën të premten kur militantët e Hamasit plagosën dy ushtarë izraelitë, pas vendimit nga Izraeli për bllokimin e disa korridoreve për kalimin e ushqimeve drejt Gazës ku dyshohej se trafikoheshin armë.

Tv Klan






Të ngjashme