Premiera e “Kumarxhiut” në Shkodër
Vesi që duhet luftuar, por që nuk vdes asnjëherë. Dëshira për ta lënë, por që vazhdon të tërheq drejt humnerës deri sa humbet familjen, miqtë dhe dashurinë e tyre.
Shoqëria të shtyn drejt shtigjeve të shpëtimit, por ti vazhdon t’i japësh kënaqësinë armiqve që të kërkojnë të të marrin gjithçka, edhe pse i premton vetes vazhdimisht se do ta lesh.
Në fund triumfon dashuria e pastër. Është teksti dramatik dhe mesazhi që përcolli komedia “Kumarxhiu” i Carlo Goldoni-t, me regji të Michele Modesto Casarin në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
Një shfaqje e gjinisë “Comedia Dell’Arte”, që skena teatrore shqiptare nuk është aq e sprovuar me të.
Emocionet më të mëdha i përjetoi shqiptaro-italiani, Indri Qyteza Shiroka, në rolin kryesor. Për regjisorin ishte një projekt i rëndësishëm po aq sa edhe i pazakontë për aktorët.
“Unë jam i kënaqur. Mbrëmë iu dorëzova çelësat aktorëve, kjo është makina, ju drejtojeni. Puna me aktorët ka qenë interesante, pasi në Shqipëri nuk është e zakonshme që të punohet me tekniken e aksionit dhe reaksionit. E kam shijuar shfaqjen dhe jam kënaqë si me aktorët ashtu edhe me reagimin e publikut”
Ekipi i aktorëve të “Kumarxhiut” vazhdon shfaqjet deri në mbrëmjen e së Mërkurës.
Tv Klan