PS drejt shkarkimit të Metës
Socialistët nuk kanë humbur kohë. Mblodhën kryesinë vetëm pak minuta pasi Ilir Meta firmosi Live dekretin që anulonte datën e zgjedhjeve. Në mbledhjen që nuk zgjati shumë kryeministri u tregua i prerë, duke thënë se vendi është Republike Parlamentare dhe jo Presidenciale. Ndaj Partia Socialiste ka vendosur që të enjten në seancë plenare të nisë procedurat e shkarkimit të Ilir Metës, duke shënuar të parin hap të tillë në historinë e pluralizmit.
Sipas mazhorancës me shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve, presidenti ka shkelur Kushtetutën.
Procedura e shkarkimit të presidentit iniciohet me kërkesën e ¼ të deputetëve, apo 36 prej tyre. Por që parlamenti ta shkarkojë presidentin, do të nevojiten 93 vota. Gjithsesi vendimi do të duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht ka vetëm 1 anëtar dhe është jashtë funksionit.
Ajo që përsërisin me siguri të gjithë përfaqësuesit e shumicës është se 30 Qershori është data e zgjedhjeve lokale.
Edhe menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë ka nisur mbledhja e firmave nga ana e deputetëve socialistë. Por Ilir Meta është kundërpërgjigjur me një postim në rrjetet sociale ku shkruan se do ta mbrojë Kushtetutën deri në fund me qetësi dhe shqiptari.
Tv Klan