Atletico gati ofertën për Hysajn


Atletico gati ofertën për Hysajn

19:06 22/06/2019

Atlético Madrid mund të nisë seriozisht tratativat për blerjen e Elseid Hysajt nga Napoli. Mediat sportive spanjolle shkruajnë se klubi madrilen është gati të japë 20 milionë euro për mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Raportohet se lojtari është edhe në axhendën e Manchester United që ka kontaktuar me drejtuesit e Napolit për të mësuar mundësinë e negociatave.

25-vjeçari është një prej emrave kryesorë për të zënë vendin e lënë bosh nga Juanfran tek Atletico. Ëndrra e madhe e klubit spanjoll është Nelson Semedo, por çmimi i tij është i lartë. Kolumbiani nuk ka patur një sezon të mirë madje edhe në Copa America e ka nisur së zëvendësues. Veç kësaj ai zë vend në skuadër si lojtar ekstrakomunitar, që përbën një handikap të madh.

Veç kësaj vetë futbollisti kërkon të qëndrojë tek Barcelona dhe pret që klubi t’i japë një tjetër mundësi për të treguar veten. Kështu mundësia për Hysajn bëhet gjithnjë e më reale. Deri tani presidenti i Napolit De Laurentiis ka pritur një ofertë nga Juventus për Hysajn teksa skuadra torineze do të drejtohet nga Maurizio Sarri që ka punuar më herët me lojtarin shqiptar. Elseid Hysaj pret të njohë të ardhmen e tij teksa duket se e ka ndarë mendjen se do të largohet nga Napoli. Javën e ardhshme pritet të ketë lajme të rëndësishme për kapitenin e kombëtares shqiptare.

Tv Klan






Të ngjashme