Oriola Kuçi prezanton binjakët (Video)
Ajo është e njohur si gruaja e parfumeve, por njëkohësisht është një nënë e përkushtuar, që ia del të përkujdeset për të gjitha. E angazhuar në mbrojtje të fëmijëve, ajo është edhe një grua aktive edhe në shoqërisë civile. Bëhet fjalë për Oriola Kuçin, e cila ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan së bashku me fëmijët e saj, binjakët David dhe Gabryel në një rrëfim ndryshe. Gjatë emisionit Oriola u shpreh se fëmijët e kanë “rritur” atë dhe se tashmë janë miq me njëri-tjetrin.
“David dhe Gabryel para pak kohësh u bënë 9 vjeç dhe për mua kanë qenë 9 vite lumturi. Por mendoj se më shumë se sa i rris unë, më rrisin këta mua. Ne jemi shumë miq me njëri-tjetrin dhe në familjen tonë secili ka historinë e tij, nuk gënjejmë dhe nuk kemi sekrete. Edhe unë si nënë edhe pse ndonjëherë më duhet t’ia zbukuroj gjërat që iu them, iu them të vërtetën. Shpesh prindërit kanë tendencën që t’i trajtojnë fëmijët me mendësitë e tyre, por unë dua që ata të jetojnë etapat e jetës së tyre. Mendoj se janë më të profilizuar tek artet edhe pse David ndonjëherë do që të bëhet doktor që të shpëtojë fëmijët nëpër botë. Unë dua që këta të dy të ndjejnë hapësirat, lirinë, dëshirat e veta dhe të profilizohen aty ku ata kanë dëshirë. Dua vetëm të jenë të shëndetshëm dhe të lumtur”, tregoi ajo.
Oriola gjithashtu tregoi edhe momentin e parë kur mori lajmin se ishte shtatzënë me binjakë.
“Kur mora lajmin se isha shtatzënë me binjakë kam qenë shumë e emocionuar. Ne kemi binjakë në familje, edhe unë edhe babai i fëmijëve të mi. Kemi qenë në Gjermani kur unë mora vesh që isha shtatzënë dhe në muajin e dytë më thotë doktori që janë dy. Gëzohesha kur shihja të tjerët që gëzonin sepse vetë isha e mpirë. Në muajin e tretë marr vesh që njëri nga fëmijët ishte djalë dhe çdo natë lutesha që tjetri të ishte vajzë. Kam dobësi për fëmijët, por sidomos për vajzat. Në muajin e pestë mjeku më tha me siguri që ishte vajzë dhe aty e kam ndjerë veten njeriun më të lumtur. Nuk ishte i lehtë viti i parë, aq më tepër që David pati një problem me shëndetin dhe duhej të ndahesha mes të dyve. Megjithatë kanë qenë fëmijë të mbarë”, tha Oriola./tvklan.al