Avokati nuk i kthen dokumentacionin origjinal dhe e kërcënon: “Të mbys vërtetë po më hipi”


Avokati nuk i kthen dokumentacionin origjinal dhe e kërcënon: “Të mbys vërtetë po më hipi”

22:39 11/07/2019

Ligor Thomai tregoi në emisionin “Stop” se ka në pronësi një tokë bujqësore me dokumentacion të rregullt, por në tokën e tij ka vendosur antenat një kompani celulare. Ai rrëfeu se ka 15 vjet në gjyq me kompaninë në fjalë, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Së fundmi ka marrë avokatin Agron Çela për ta përfaqësuar në proceset gjyqësore, duke e paguar me 670 mijë Lekë si fillim. Prej një viti çështja nuk ka filluar, por avokati nuk i kthen më as dokumentet origjinale.

“Problemi është që ai ka çuar dokumentet origjinale në gjykatë. Ndërkohë që kishte mundësi të çonte dokumentet e noterizuara. Kërkoj me insistim tërheqjen e dokumenteve origjinale, por ai më thotë që do t’i marr sot, do t’i marr nesër.  Si përfundim më tha që do m’i kthejë kur të mbarojë gjyqi”, rrëfeu denoncuesi, i cili dyshon se avokati i tij është paguar nga pala kundërshtare. Ndaj Ligor Thomai u përball me të, por avokati iu përgjigj me ofendime dhe kërcënime.

Qytetari: Mirëmëngjes!

Avokati Agron Çela: Hë ore, prapë erdhe, ore?

Qytetari: Erdha! Çfarë do të bëhet për dokumentet origjinale, ore?

Avokati Agron Çela: Do ma lësh mua në dorë këtë punë?

Qytetari: Jo, nuk ta lë! Ore, sill dokumentet origjinale. Ik merr dokumentet!

Avokati Agron Çela: Dakord, dakord! T’i jap unë dokumentet.

Qytetari: Mos më qëllo se do të futesh brenda!

Avokati Agron Çela: Edhe një herë, edhe një herë…

Qytetari: Mos më qëllo!

Avokati Agron Çela: Atëherë…

Qytetari: Më qëllove do futesh brenda direkt!

Avokati Agron Çela: Më lër të flas, do të vras fare më pas!

Qytetari: Mua do të më vrasësh ti? Po bëj provë, bëj provë.

Avokati Agron Çela: Do të vrasin çunat ty!

Qytetari: Mua do të më vrasin çunat?

Avokati Agron Çela: Po! E di pse do të vrasin?

Qytetari: Hë…!

Avokati Agron Çela: Sepse po tregohesh armik i vetvetes! Të garantoj si burri-burrit! Po!

Qytetari: Po edhe unë të garantoj me fjalë për çështjen e dokumenteve origjinale! S’kishe punë të çoje dokumentet origjinale!

Avokati Agron Çela: Një minutë, ore budalla! O budalla! Të lutem shumë, më dëgjo avokatin! Nëse të kam mashtruar ty, të jap me deklaratë që do të paguaj të gjitha lekët që më ke dhënë ti dhe dokumentacionin!

Qytetari: Më ke gënjyer kushedi sa herë, ore!

Avokati Agron Çela: Pse?

Qytetari: “Telekom Albania” më tha, që nuk na ka dërguar fare Gjykata.

Avokati Agron Çela: “Telekom Albania” nuk… E di si po më vjen tani apo jo? E di cfarë po më bën apo jo?

Qytetari: Hë…!

Avokati Agron Çela: Ore, ti nuk e di çfarë po më bën.

Qytetari: Po të nxjerr nga faza?

Avokati Agron Çela: Të lutem! Po, po, po more po, po dhe mua më vjen keq që të hedh dosjen tënde poshtë. Më vjen keq se të dhashë fjalën dhe ke hapur fjalë për mua. Prandaj dua ta fitoj unë atë çështje!

Qytetari: Nuk kam hapur fjalë!

Avokati Agron Çela: Dëgjo këtu, se të mbyta! Dëgjo këtu edhe një herë, se të mbys vërtetë unë! E kuptove? Të mbys vërtetë po më hipi, prandaj hiqu nga mua, se unë do të marr çështjen! Dakord? Mos më hajde më në zyrë! Do të marr çështjen! Ti nuk më nxjerr nga faza e vërtetë mua.

Qytetari: Unë s’të nxjerr nga faza! Unë kërkoj të drejtën time!

Avokati Agron Çela: Dëgjo këtu! E di sa përballoj si ty unë? Që ti s’je gjë fare! Unë përballoj me kriminela. E njoh këtë psikologjinë. Ti je budalla! Edhe njëherë, ti je budalla, je armik i vetvetes, prandaj edhe unë po të mbaj dosjen se e di çfarë do të kisha bërë unë? Mor mut, vap dosjen dhe ik! Mos të shoh këtu me këtë tip që kam unë. Dhe pse nuk po e bëj? Vetëm se je budalla. Je armiku i vetvetes.

Qytetari: Tani në fund më the mua që…

Avokati Agron Çela: Edhe një herë…

Qytetari: Jo, jo! Avash se më the që gjykata nuk i jep më, nuk i merr më dokumentet origjinale.

Avokati Agron Çela: Edhe një herë, të lutem!

Qytetari: Urdhëro, fol!

Avokati Agron Çela: Je i sigurtë që nuk do të më vish më pas këtij muhabeti?

Qytetari: Jo. Nuk të vij më!

Avokati kur u përball me gazetaren e emisionit “Stop” tha se do t’ia kthejë dokumentacionin origjinal zotit Ligor pasi të përfundojnë proceset gjyqësore. Ndërsa përsa i përket kërcënimeve Agron Çela i mohoi, duke thënë se klienti e shantazhoi, pasi është i paditur.

Gazetarja dhe Ligor Thomai iu drejtuan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për të bërë një kërkesë për dokumentacionin origjinal. Pas disa ditësh Ligor Thomai mori më në fund në dorë dokumentet e tij origjinale./tvklan.al






Të ngjashme