Moti i keq godet Australinë dhe Brazilin
Viti 2010 ka nisur si mos më keq për Australinë dhe Brazilin. Mbi 64 persona kanë humbur jetën në Rio de Zhaneiro dhe dy qytete të tjera si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.
Kodrat piktoreske të Rios janë kthyer në pamje ferri. Copa të mëdha mali janë shkëputur dhe bashkë me baltën e shkaktuar nga reshjet e shiut kanë përpirë gjithçka u ka dalë përpara . Shumë ndërtesa, mes të cilave edhe një hotel me afro 40 klientë, janë gllabëruar nga masivi i dheut dhe baltës. Ekipet e shpëtimit po punojnë me intensitet për nxjerrjen e të mbijetuarve apo trupave të pajetë.
Ndërkohë që shumica e qyteteve të Australisë iu lutën Zotit për pak shi, qyteti i Coonamble është i tëri nën ujë. Këto janë përmbytjet më të mëdha në këto 30 vitet e fundit. Ditë të tëra shirash të rrëmbyeshëm i kanë kthyer fushat në liqene dhe rrugët në lumenj.
Më shumë se 400 persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre, duke marrë me vete edhe bagëtitë. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme që arrijnë në miliona dollarë.
Tv Klan